Gazeta Sinjali raportoi sot për një përleshje mes dy asamblistëve në Komunën e Podujevës, të cilët dyshohet se janë kapur me njëri-tjetrin për shkak të votave për shefin e grupit parlamentar. Për pasojë Artrit Muqiqi dhe Ragip Fetahu përfunduan në Polici, ndërsa tashme është iniciuar rast ndaj tyre.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja Laureta Ulaj, e cila tha se me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
“Pas informimit të prokurorit kujdestar nga policia, me urdhër të njëjtit inicuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ta ndriçuar në plotni këtë çështje penale” – tha Ulaj.
Të dy asamblistët e VV-së, në afërsi të objektit të komunës duket se janë përplasur mes vete.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.