Përkthyesi i ekspertizës së autoriteteve zvicerane, Ismail Ismaili ka akuzuar Prokurorinë Themelore të Prizrenit për joseriozitet në qasje sa i përket procedurave të përkthimit të konkluzave për rastin Dehari.
Ai ka thënë se faqja me tri konkluzat e raportit, nuk i ishte ofruar me kohë për përkthim bashkë me raportin rreth 60 faqësh. Ismaili ka thënë se konkluzat kryesore të shkruara në frëngjisht i janë dhënë nga Prokuroria e Prizrenit për përkthim vetëm 5 minuta para se t`i dorëzohet raporti familjes Dehari. Madje, sipas tij një kërkesë e tillë ashtu sikurse përkthimi është bërë përmes Viberit, aty për aty.
“Një vërejtje që e kanë bërë ata për konkluzionet, kjo është katastrofë, sepse m`i kanë dërgu me Viber rreth 5 minuta para 10-ve. Ata në orën 10:00 e kanë pasë takimin me dorëzu raportin. Brenda pesë minutave, prej Viberit sa kam mujtë me nxjerr unë, e kam përkthy. Një faqe për 5 minuta as s`mund e përkthen as s`mun e shkrunë” ka thënë Ismaili për Gazetën Sinjali.
Ismaili ka theksuar se Prokuroria është munduar ta fajësoj se e ka harruar për përkthim letrën me konkluzione të cilën thotë se nuk ia kishin dërguar.
“Janë gjana të cilat nuk i kam pshtjellë unë. Konkluzat i kanë çu dje. Unë nuk e kam pasë atë letër fare edhe plus më akuzojshin, thojshin e ke harru! Kjo s`është e vërtetë fare, se nuk i kam pasë hiç. A kanë dashtë ata me i mshefë a çka kanë dashtë me bo, punë e tyre!?”, ka theksuar Ismaili për Gazetën Sinjali.
Ismaili nuk ka dashur të flas me emra se kush nga prokuroria ia ka bërë një kërkesë të tillë ndonëse siç është raportuar në medie, dje raporti i është dorëzuar familjes Dehari nga Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala dhe prokurori i rastit Dehari, Metush Biraj.
Më herët në një bisedë ekskluzive për Gazetën Sinjali, Ismaili pranoi gabimet e mundshme në raport duke u aresyetuar se nuk i është dhënë kohë e mjaftueshme për ta përkthyer raportin. Sipas tij ai ka qenë i obliguar që ta kryej përkthimin e rreth 60 faqeve të raportit për katër ditë. /Gazeta Sinjali/