Arsimtarja e matematikës në shkollën “Flamuri i Arbërit” në Reshtan të Suharekës, Remzie Lezi, është përjashtuar nga shkolla për shkak të bartjes së shamisë, raporton Gazeta Sinjali.
Ky vendim është marrë nga Këshilli Drejtues i Shkollës, që në mënyrë unanime, ka vendosur që Lezi të përjashtohet nga e drejta për ta ushtruar profesionin e saj.
“Duke u mbështetur në UA NR 03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformës fetare, i gjithë Këshilli unanimisht vendosi, që nuk i lejohet arsimtares së matematikës, z. Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniformë fetare”, thuhet në dokument.
Për lejimin e shamisë në shkolla, para një muaji ishte zhvilluar edhe një fushatë në rrjete sociale.
Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media e kishte shprehur qëndrimin e tij në lidhje me fushatën e nisur kundër ndalimit të shamisë në shkollat e mesme.
Ai kishte thënë se shamia duhet të lejohet në institucionet publike e edhe në shkolla, por jo nën moshën 16-vjeçare.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte thënë se udhëzimi administrativ që e ndalon bartjen e shamisë në shkolla nuk do të ndryshojë.