image Përfundon mbledhja e LDK-së, Haziri tregon se çka ndodh me taksën

Kosovë

Përfundon mbledhja e LDK-së, Haziri tregon se çka ndodh me taksën

news image

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëherit kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri duke folur para mediave pas mbledhjes së kësaj partie ka thënë se po punojnë që t’i shkrijnë dallimet sa i përket qëndrimit rreth taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe të kenë qendrime unike brenda qeverisë.

Tutje nënkryetari Haziri ka thënë se LDK po angazhohet që të kenë qëndrime të përbashkëta si parti politike duke e ruajtur stabilitetin e brendshëm.

“Është njëra nga proceset që Kosovës po ja harxhon oksigjenin politik. Është mirë të angazhohemi në probleme të tjera. Nuk është vetëm ky problem. Ne në qeveri e kemi zëvendëskryeministrin i cili koordinohet në baza ditore edhe me kryeministrin. Konsultimet e brendshme po çojnë në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështjeje. Le të besojmë se hapi i parë është marrë dhe i është dhënë frymë këtij procesi. Deri në një qëndrim përfaqësuesit tonë do të koordinohen mes veti që t’i japin zgjidhje. Kjo i bie ne po punojmë që dallimet të shkrihen dhe të kemi qëndrime unike. Ne si LDK po angazhohemi të jemi urë politike duke e ruajtur stabilitetin tonë të brendshëm”, tha Haziri.

Ai ka thënë se këtë mbledhje janë diskutuar për çështje të brendshme të partisë, në fokus të interesimit kanë qenë proceset politike që po kalon Kosova, në veçanti roli i tyre në Kuvend, qeveri e pushtet lokal.

“Nuk ka pasur diçka të veçantë përveç angazhimeve që ne i realizojmë në kuadër të kalendarit tonë të rregullt”, theksoi ai.

Kujtojmë se dy partnerët e koalicionit qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë qëndrime të ndryshme sa i përket vendimit për heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe. VV është deklaruar pro heqjes së pjesshme të taksës, ndërsa LDK pro heqjes së plotë të taksës./GazetaSinjali/