image Përfundon takimi LDK – VV, për çka u pajtuan dhe ku ishin ngecjet gjatë takimit të sotëm

Kosovë

Koalicion/ Përfundon takimi LDK – VV, për çka u pajtuan dhe ku ishin ngecjet gjatë takimit të sotëm

news image

Grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë takuar gjatë ditës së sotme për të harmonizuar programin për qeverisjen e ardhshme, pas zgjedhjeve të 6 tetorit ku këto dy parti politike dolën të parat, raporton Gazeta Sinjali.

Pas takimit, Lumir Abdixhiku, ka folur para mediave duke thënë se takimi mes dy grupeve punuese ka qenë në frymë, pozitive si dhe janë dakorduar për takimet e ardhshme.

Ai ka thënë se agjenda e javës së ardhshme do të bisedohet për zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë dhe për rendin e ligjin. Mes tjerash ai ka thënë se kanë diskutuar edhe për ministritë e ardhshme që pritet të jenë vetëm 12 ministri.

“Sot e patëm takimin e dytë në vazhdën e takimeve punese mes LDK-së dhe VV-së, njëjtë si në takimin e parë, ky takim është zhvilluar në frymë shumë pozitive. Sot u dakorduam për agjendën për dy javët e ardhshme dhe ka për synim për zhvillimin e ekonomi, arsimin, shëndetësinë dhe rendin e ligjin”.

“Kemi biseduar për 12 ministritë se si do të duken ato dhe si do të fuzionohen ato. Takimi i radhës është të hënën dhe çdo tri ditë do të diskutohen. Deri në këtë fazë nuk kemi diskutuar për emër të caktuar, por jemi duke diskutuar për tema, për çështje të rëndësishme për Kosovën, për zhvillimin ekonomik, shëndetësi arsim, për rend dhe ligj”, ka deklaruar ai.

Abdixhiku, ka thënë se deri më tani nuk është diskutuar për emrat apo për pozitat që pritet t’i mbajnë personat e caktuar. Ai ka thënë se për këtë çështje do të vendosin liderët e partive politike.

“Dhe për formatin e qeverisë dhe më pas do të jenë liderët e partive politike që në bazë të grupeve punuese do të bëjnë marrëveshjen finale.  Do të jetë në kompetencën e tyre për të diskutuar për emrat për shkak se ne nuk i diskutojmë këto gjëra”.

“Shkrirjen e Agjencisë së Privatizimit nuk e kemi finalizuar ende, por kemi folur që një pjesë e madhe e agjencive do të bëhen pjesë të ministrive”, ka deklaruar ai.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës ka thënë se është diskutuar bashkimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Integrimeve Evropiane dhe asaj të Diasporës në vetëm një ministri.

“Shembull kemi bërë bashkimin e MPJ, Integrimeve Evropiane dhe Diasporës të cilat do të bashkohen  shembull në Ministri të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane. Ajo që është me rëndësi është që është punuar në 12 ministri dhe me dy zëvendësministra”, ka deklaruar  Abdixhiku.

Kur është pyetur për dialogun Kosovë – Serbi, ai ka thënë se kjo çështja do të diskutohet nga liderët e partive politike, por se ka shenja pozitive për emërues të përbashkët. Ka thënë se ka mendime të ndryshme, por ka edhe qëndrime të përafërta lidhur me këtë temë dhe me tema të tjera.

Abdixhiku ka folur edhe për qëndrimin e VV-së e cila nuk e parasheh në qeverinë e ardhshme Listën Serbe. Ai ka thënë se LDK nuk do ta shkelë Kushtetutën e Kosovës, por që nuk po do të pranojnë kushtëzimet e askujt.

“Nuk e kemi diskutuar ende, por natyrisht që Kushtetutën e Kosovës e respektojmë por që nuk pranojmë kushtëzime nga askush”, ka deklaruar Abdixhiku.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit, VV dhe LDK që kishin qenë parti opozitare dolën dy partitë e para në zgjedhje./Gazeta Sinjali/