image Përfundon seanca ndaj Hajdarit, avokati Shefqeti: Ministrja e ndërroi deklaratën

Drejtësi

Përfundon seanca ndaj Hajdarit, avokati Shefqeti: Ministrja e ndërroi deklaratën

news image

Për të tretën herë me radhë, është mbajtur me dyer të mbyllura për mediet e publikun seanca ndaj ministres së Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila dyshohet se aksidentoi një të mitur me veturë.

Seanca ka zgjatur për më shumë se dy orë, teksa është bërë administrimi i provave dhe është dëgjuar ministrja Rozeta Hajdari në cilësinë e të pandehurës.

Avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti, ka deklaruar pas përfundimit të seancës se Hajdari ka bërë ndërrimin e deklaratës ne tersi, teksa ka propozuar që gjykata t’ia konfiskojë Hajdarit patentë-shoferin.

“Ne vlerësojmë që në këtë rast janë përmbushur në tërësi elementet e kundërvajtjes. Ajo çka është e rëndësishme është që e pandehura ka bërë ndërrimin e deklaratës në tërësi nga fakti që fillimisht ka deklaruar që ka parë dy fëmijë duke dalë nga marketi, tanimë e ka ndryshuar duke thënë se jo nuk e kam parë dhe që e ka parë vetëm momentin e goditjes së tyre”.

“Ne kemi kërkuar nga gjykatat që te mos i falë besimin për shkak se ka kundërthënie. Po ashtu më herët ka deklaruar se moti ka qene me shi, tani e ka bërë ndryshimin e deklaratës dhe së fundi lidhur me deklaratën e saj që ka frenuar, kur e kemi ballafaquar me ekspertizën dhe supërekspertizën, ka refuzuar të përgjigjët. Kemi kërkuar që të pandehurës t’i ndalohet e drejta e drejtimit të automjetit, si dhe marrja e patentë-shoferit”, u shpreh Shefqeti.

Ndërsa pas seancës, avokati mbrojtës i Hajdarit, Alban Makolli tha që seanca ka qenë e mbyllur për publikun dhe se nuk dëshirojnë të prononcohen.

Pas seancës së parafundit, përfaqësuesi i palës se dëmtuar kishte deklaruar se ekspertët kanë konstatuar se vetura e ministres Hajdari s’kishte gjurmë të frenimit në momentin e aksidentit.

Seanca e datës 9 tetor si dhe ajo e datës 11 tetor 2023 si dhe seanca e sotme janë mbyllur për publikun më arsyetimin se kemi të bëjmë me rastin e aksidentit ndaj një të miture.

Ndërkohë, ministrja Hajdari kishte thënë se nuk ndjehet fajtore për aksidentin ku ishte goditur një fëmijë. Sipas saj, ajo kishte qenë në shpejtësinë brenda rregullave të komunikacionit dhe se papritmas vajza është goditur nga vetura pasi e njëjta ka qenë duke vrapuar. /EO

/GazetaSinjali/