image Përfundon seanca, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon më 15 maj

Drejtësi

Përfundon seanca, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon më 15 maj

news image

Ka përfunduar për këtë javë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK). Procesi në Dhomat e Specializuara në Hagë do të vazhdojë të hënën e 15 majit, me dëgjimin e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

Në seancën e sotme e ka vazhduar dëshminë e tij dëshmitari i prokurorisë i cili mban kodin 4748.

Për të tretën ditë me radhë ai ka dëshmuar në seancë të mbyllur për publikun.

Për seancën e sotme është paraparë që ai të përgjigjet në kundërpyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

Megjithatë, seanca ka filluar me një urdhër nga kryegjykatësi Charles L Smith, i cili është dhënë po ashtu në seancë private.

Në procesin gjyqësor kandër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë.

Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

/GazetaSinjali/