Muzeu Ikonografik “Onufri” dhe Muzeu Etnografik, vijojnë të mbeten destinacione të rëndësishme për vizitorët vendas dhe të huaj në qytetin e Beratit edhe për periudhën shtatëmujore të këtij viti.
Fluksi i vizitorëve në muzetë e Beratit vazhdon të ketë rritje nga viti në vit. Krahasuar me periudhën janar – korrik të vitit të kaluar, në 2019 vizitorët e shumtë arritën në shifrën 35,303 që është gati 122.2% me një rritje prej 5,405 vizitorësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.
Vizitorët e huaj dhe vendas i tërheq përherë qyteti i Beratit me pasurinë e vlerave të tij të trashëgimisë kulturore e natyrore por veçanërisht ata janë të interesuar për tu njohur me koleksionet e vyera të Muzeut Ikonografik Onufri dhe të Muzeut Etnografik për të mësuar më shumë për qytetin e për të kuptuar më mirë historinë e Shqipërisë.
Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit të XVIII. Ky muze ka një fond të pasur me rreth 1200 objekte.
Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas bizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë./ATSH/