Për shkak të gjendjes të jashtëzakonshme të krijuar nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit, u dëmtuan edhe disa institucione arsimore.
Një prej tyre është edhe Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës ku në të 5 katet e tij, situata është e njëjtë, e rrezikshme për studentët e këtij Fakulteti. Edhe auditoret nuk janë gati për nisjen e procesit mësimor.
Ndaj procesi mësimor do të fillojë më datë 6 janar, ndërsa në fakultetet e tjera të Universitetit Politeknik të Tiranës mësimi nis më datë 16 dhjetor.
Dëmet në Fakultetin e Inxhinierisë u shkaktuan që me tërmetin e shtatorit, nga ku u nënshkrua një kontratë riparimi më 23 tetor në vlerë rreth 3 milionë lekë. Por rikonstruksioni nuk zgjati as një muaj, pasi ndërtesa u kthye në gjendjen e mëparshme, ku u vlerësua e rrezikshme për nisjen e mësimit.
Mësimi u ndërpre përgjatë gjithë muajit dhjetor edhe në Universitetin e Mjekësisë të Tiranës, si pasojë e gjendjes të rëndë të ambienteve në këtë institucion. Rektori Arben Gjata vendosi rifillimin e procesit mësimor më 6 janar. Ndërsa, kujtojmë se studentët e Universitetit të Tiranës kanë nisur mësimin më 10 dhjetor, si dhe po diskutohet për kur do të zëvendësohen orët e pazhvilluara.