image Për një vit Universiteti i Prishtinës mbajti mbi 235 mijë ligjërata online

Arsim

Për një vit Universiteti i Prishtinës mbajti mbi 235 mijë ligjërata online

news image

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka publikuar statistikat një vit pas fillimit të ligjëratave online, si masë preventive për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së koronavirusit, e marrë nga Qeveria e Kosovës.

Bazuar në të dhënat e publikuar, gjatë këtij viti ky universitet ka zhvilluar 235 mijë e 571 ligjërata virtuale.

Në këtë njëvjetor, rektori Naser Sahiti ka përgëzuar tërë stafin dhe studentët për angazhimin e treguar në këtë kohë pandemie.

“Studentët dhe stafi dëshmuan maturinë, gatishmërinë dhe njohuritë e duhura për të shënuar sukses në mësimdhënie dhe mësimnxënie edhe në rrethanat e krijuara nga pandemia COVID-19. Përveç në mësim, ata ishin të gatshëm edhe në organizimin e aktiviteteve të ndryshme jashtë kurrikulare në mënyrë virtuale. Andaj, dua t’i përgëzoj studentët për sukseset e shënuara në mësim gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, ndërkaq stafin për përkushtimin në punën e tyre, duke vazhduar kështu ta mbajnë UP-në si prijës të nismave jetike për shoqërinë tonë”, thotë rektori Sahiti.

Në këtë ditë, Universiteti i Prishtinës ka kujtuar edhe stafin akademik dhe qytetarët që humbën jetën si pasojë e infektimit me COVID-19, si dhe ka vlerësuar lart punën dhe profesionalizmin e stafit të Fakultetit të Mjekësisë, së bashku me studentët vullnetarë, të cilët dhanë kontribut vital për vendin në përballje me pandeminë e koronavirusit./Gazeta Sinjali/