image Për herë të parë PDK e Vetëvendosje bashkë në opozitë

Politikë

Për herë të parë PDK e Vetëvendosje bashkë në opozitë

news image

Lëvizja Vetëvendosje do të rikthehet sërish në opozitë, e aty e pret Partia Demokratike e Kosovës. Kjo pasi partitë e tjera opozitare kanë hyrë në koalicionin e ri qeverisës me LDK-në, i cili sapo mori besimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Me 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim u formua qeveria re me Avdullah Hotin kryeministër.

Lëvizja Vetëvendosje ka bënë opozitë të fortë për shumë kohë ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, e kjo e fundit pati mundësinë ta kundërshtonte nga opozita Albin Kurtin për më shumë se 50 ditë, sa edhe zgjati qeverisja e tij si kryeministër.

Por, ish-kryeministri i Kosovës Albin Kurti, opozitën e partisë së tij ndaj Qeverisë Hoti do të mund ta shikojë vetëm përmes televizorit. Kjo për faktin se të njëjtit nuk i lejohet rikthimi në pozitën e deputetit, pasi që në momentin e votimit si kryeministër e humb mandatin si deputet.

Jashtë Kuvendit të Kosovës kanë mbetur edhe figura të tjera të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje, si Glauk Konjufca, Haki Abazi, Albulena Haxhiu e Arben Vitia, të cilët mbajtën pozitën e ministrit në qeverinë më jetëshkurtër në historinë e Kosovës.

Sidoqoftë, dy partitë ajo e Kadri Veselit dhe e Albin Kurtit do të vazhdojnë të mbesin në opozitë dhe nuk dihet nëse do të jenë opozitë e bashkuar apo e përçarë. /Gazeta Sinjali/