Marrëdhënia mes Feros dhe modelës Arbenita Ismalji, ka degraduar pasi këngëtari ka ushtruar dhunë ndaj kësaj të fundit dhe si rezultat, çështja e tyre ka përfunduar edhe në gjykatë.
Bazuar në raportin e Prokurorisë, aty tregohet se për afro 100 ditë, ndaj modeles janë ushtruar forma të ndryshme të dhunës.
“Për shkak të raporteve të përkeqësuar për 3 muaj, e dëmtuara i kërkon të ndaheshin dhe të merrte vajzën, gjë që e revolton të pandehurin, i cili duke mos pranuar ndarjen fillon të shfaqë agresivitet duke bërtitur dhe i kërkon edhe një shans”, thuhet në raport, të siguruar nga Prive.
“Por, kur e dëmtuara refuzon i pandehuri revoltohet dhe e sulmon fizikisht duke e goditur me grusht në shpinë dhe kur e kupton se e dëmtuara po e incizonte, ia merr telefonin nga dora dhe ia thyen, për dysheme duke e kanosur me fjalët: Nëse e merr vajzën dhe shkon në Angli kam me të vra”, thuhet tutje në raport.
Avokati i Feros ka pranuar se klienti i tij ndodhet në burg, mirëpo ai e ka mohuar të ketë pasur përdorim të dhunës, teksa incidentin e ka cilësuar “mosmarrëveshje”.
“Është e vërtetë që ka pasur një kërkesë për Feronit Shabanin. Unë do e kisha quajtur debat më shumë se mosmarrëveshje. Ky debat është iniciuar nga ana e bashkëshortes. Kushti kryesor i saj ka qenë që të marrë vajzën. Ajo ka ardhur një natë para nga Britania në Kosovë, kërkesa e saj ishte që të merrte vajzën, ajo kërkoi pasaportën e vajzës, e kështu nisi debati”, ka thënë ai.
“Arbenita vjen në fundjavë në Kosovë, e pastaj shkon për punë të saj. Vajza është rritur nga Fero dhe nëna e tij. Qëllimi i saj ka qenë vajza, e argumenton edhe kërkesa e pasaportave. Në këtë rast është vetëm një dëshmitar, nëna e Feronit Shabanit. Emocionalisht Fero është i mërzitur, sidomos për vajzën, është i lidhur me të. Në këtë rast nuk ka pasur dhunë, asnjë formë e saj”, ka shtuar ai.
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, rep artistit Fero, emri i vërtetë i të cilit është Feronit Shabani.
Fero dyshohet për veprën penale – “Dhunë në familje”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje, ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin e policisë.