image Pejanët që po fjaloseshin mes vete, kërcënojnë me thikë policin që deshi t’i ndajë - arrestohen

Siguri

Pejanët që po fjaloseshin mes vete, kërcënojnë me thikë policin që deshi t’i ndajë – arrestohen

news image

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës shpesh herë edhe jashtë detyrës zyrtare hasin në situata ku duhet të intervenojnë për të parandaluar konfliktet mes qytetarëve. Por nuk janë të rralla as rastet kur ata përballen me ofendime e kërcënime nga qytetarët, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Papa Klimenti’ në Pejë, ku një zyrtar policor kishte qëlluar rastësisht të jetë në vendin ku dy persona po fjaloseshin me njëri-tjetrin.

Sinjali mëson se polici i cili ishte në rroba civile, ka ndërhyrë duke tentuar që të qetësojë situatën, por aty ishte përballur me kërcënimet nga të dyshuarit, të cilët kishin filluar ta ofendojnë e kërcënojnë duke e pyetur se ‘kush je ti që përzihesh?’.

Madje gjatë kohës që po ndodhte e gjithë ngjarja, njëri nga të dyshuarit po mbante edhe një thikë në dore, gjë e cila kishte detyruar policin që për shkaqe sigurie ta nxjerr armën nga brezi në mënyrë që të qetësohen gjakrat.

Ndërkohë Policia ka marrë informatën se çfarë po ndodhte dhe një njësi policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar dy të dyshuarit, të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Në stacion ata i janë nënshtruar testit për alkool, ku kanë rezultuar në gjendje të dehur.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

/GazetaSinjali/