image Peci për arrestimet e sotme në Ministrinë e Bujqësisë: Nuk do të ndalemi dhe nuk do të kursehemi - Sinjali

Peci për arrestimet e sotme në Ministrinë e Bujqësisë: Nuk do të ndalemi dhe nuk do të kursehemi

news image

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka përshëndetur arrestimin e 21 personave në aksionin e sotëm të Prokurorisë dhe Njësisë së Krimeve Ekonomike në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në disa qytete të vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Peci tha se aksioni i sotëm goditi skemën e keqpërdorimeve financiare që janë bërë ndër vite në Ministrinë e Bujqësisë.

I pari i Bujqësisë tha se subvencionet u takojnë bujqve, e jo mashtruesve dhe keqpërdoruesve.

“Veprimi i sotëm është përpjekja më serioze për kthimin e dinjitetit të fermerëve, të cilët ndër vite janë bërë pre e skemave mashtruese. Fermerët i inkurajoj të bashkëpunojnë me organet e rendit për ta denoncuar çdo veprim, i cili ka cenuar dhe dëmton punën dhe djersën e tyre. Subvencionet duhet të arrijnë te bujqit, por jo te keqpërdoruesit dhe mashtruesit”, shkroi ai në Facebook.

Tutje, Peci tha se vendosja e ligjshmërisë në këtë ministri do të vazhdojë pa u ndalur dhe pa kursyer askënd.

“Kjo që ndodhi sot është përpjekje për vendosje të ligjshmërisë. Nuk do të ndalemi dhe nuk do të kursehemi që këtë ministri që është bërë e famshme shkaku i skemave kriminale t`ia rikthejmë reputacionin, besimin dhe imazhin që meriton, në mënyrë që ta vejmë ekskluzivisht në dobi të fermerëve”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin