image 14 nga 21 të arrestuarit në aksionin e Krimeve Ekonomike janë zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë

Siguri

14 nga 21 të arrestuarit në aksionin e Krimeve Ekonomike janë zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë

news image

Njësia e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka zhvilluar sot një aksion, i cili rezultoi me arrestimin e 21 personave të dyshuar për “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Mashtrim me subvencione”, raporton Gazeta Sinjali.

Ky aksion është zhvilluar në Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjilan dhe Istog.

Gjatë këtij aksioni, në prangat e Policisë së Kosovës deri tani janë arrestuar 21 persona, në mesin e tyre zyrtarë publikë, qytetarë dhe biznesmenë.

Prokurori i rastit, Rafet Halimi, bëri të ditur se në mesin e të arrestuarve janë 14 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe të zyrave të kësaj agjencie në disa komune të vendit.

Halimi para gazetarëve po ashtu njoftoi se brenda 24 orëve, prokuroria do të parashtrojnë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të tyre.

Ky aksion ishte vazhdimësi e aksionit të shkurtit në këtë ministri, të njohur me emrin “Subvencioni 2021”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/