image PDK nis mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme për ta kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë

Politikë

PDK nis mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme për ta kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë

news image

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se partia e tij ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme, në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Tahiri përmes një postimi në Facebook ka shkruar se rritja e energjisë po i godet qytetarët dhe ekonominë e tyre familjare.

“Përcaktimi i qeverisë për të rritur çmimin e energjisë elektrike, jo veç që shënon rritjen më të madhe të kostos së rrymës në historinë e Kosovës, por vjen në një moment të tillë për të shënuar edhe goditjen më të ashpër ndaj qytetarëve dhe ekonomive familjare”, ka shkruar Tahiri.

Tahiri ka deklaruar se për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme është koordinuar edhe me shefat e grupeve parlamentare të LDK-së dhe AAK-së.

“Në këtë seancë të jashtëzakonshme, ne do të debatojmë e do ta ballafaqojmë qeverinë me realitetin e qytetarëve, mbi gjendjen dhe vështirësitë e të cilëve, ajo tashmë nuk ka kurrfarë ndjeshmërie”, ka shkruar ai./GazetaSinjali/