Kryetari i degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, e ka akuzuar qeverisjen lokale të Prizrenit për tenderë të dyshimtë si dhe për nepotizëm, shkruan Gazeta Sinjali.
Totaj tha se ka paraqitur tri raste të punësimeve për të cilat ekzistojnë indikacione se ato janë punësime nepotike.
“Kam paraqitur tri raste të punësimeve për të cilat ekzistojnë indikacione se ato janë punësime nepotike”, tha Totaj duke përmendur emrat e Blerina Susurit, Elvira Dautit dhe Agneca Laçit.
“Vetë fakti që një person ka lidhje familjare me dy të punësuarit është vetvetiu indikator se mund të kemi pasur lidhje nepotike”, shtoi tutje ai.
Po ashtu, Totaj ka thënë që këto tri punësime nuk janë të vetmet parregullsi nga qeveria komunale e Prizrenit.
“Vetë drejtori i gjimnazit është ushtrues detyre kur ne e dimë së në bazë të ligjit për shërbyes civilë është gjashtë muaj. Faktikisht kemi tri herë nga 6 muaj afat kur nuk është respektuar ligji për shërbyes civilë”.
Ndërkaq, ai ka përmendur edhe dy denoncime, një rast të një personi me titull master që është diskualifikuar në secilin aplikim, si dhe një rast tjetër të një personi që merr pagë pa shkuar fare në punë.
Totaj theksoi që këto veprime nuk korrespondojnë me premtimet zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Haskukës ku premtohej depolitizim i arsimit dhe ngritje e cilësisë.
“Mund të ndodhë që edhe këta ta meritojnë mirëpo vetë fakti që ekzistojnë lidhje të afërta familjare, për neve është indikator se diçka mund më mos ketë qenë në rregull”, thotë Totaj.
Ai përfundoi se PDK-ja në Prizren do të marrë më shumë informata dhe pastaj do t’i shqyrtojnë hapat e mëtutjeshëm. /Gazeta Sinjali/