Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati në rast se nuk u dalin pagat mësimdhënësve deri të enjten më 5 tetor, shkruan Gazeta Sinjali.
“Nëse brenda këtyre pesë ditëve të punës nuk ekzekutohen pagat, ne, do të ushtrojmë kallëzim penal ndaj ministrit Murati. Mosekzekutimi i pagave nga ministri i Financave është vepër penale”, tha ai.
Tahiri e quajti Muratin “ministër të papërgjegjshëm, arrogant e të padijshëm”.
Po ashtu, ai shtoi se krahas interpelancës me Muratin, do të diskutohet edhe për gjendjen e shëndetësisë në vend.
Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, Tahiri e konsideron si të panevojshme formimin e Komitetit për Shëndetësi, i cili udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
“Në kuadër të kësaj seance do të jetë një debat parlamentar për gjendjen në shëndetësi dhe për telashet në të cilat jemi. Është hera e parë që një Komitet i tillë drejtohet nga kryeministri dhe realisht nuk kemi nevojë me debatuar për këtë çështje”.
“Ju e shihni se kërkesa më e madhe për ta lëshuar vendin nuk ka pasur dhe jemi në një situatë që ka largim të mjekëve nga QKUK-ja jashtë vendit”, u shpreh Tahiri. /GazetaSinjali/