image PD në Shqipëri vendos të hapë garën për kreun e ri të saj

Shqipëri

PD në Shqipëri vendos të hapë garën për kreun e ri të saj

news image

Në Shqipëri Partia Demokratike vendosi sot të hapë garën për kreun e ri të saj dhe zhvillimin e votimit sipas parimit një anëtar një votë, në 13 qershor.

Vendimi, i marrë mbrëmjen e së dielës nga kryesia, afron me pak më shumë se një muaj, këtë proces, i cili sipas statutit do të duhej të zhvillohej në muajin korrik.

Nga ana tjetër, hapja e kësaj gare, anashkalon kërkesat e zërave të ndryshëm brenda Partisë Demokratike, që i kërkuan Lulzim Bashës largimin, pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit.

Kryetari aktual i cili ka ndërmarrë gjatë gjithë javës së fundit një tur në bazën e PD, edhe në mbledhjen e kryesisë i është përmbajtur linjës së zgjedhur prej tij se zgjedhjet kanë qenë një “masakër elektorale”, duke hequr përgjegjësitë e tij për rezultatin.

Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet çuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prillin. Sepse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizimit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizimit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë”, mësohet të ketë deklaruar Basha në mbledhjen e kryesisë. /Gazeta Sinjali/