Pas publikimit të një videoje ekskluzive nga Gazeta Sinjali, ku shiheshin të shtëna me armë gjatë një gazmendi familjar në familjen Paluca, në fshatin Trepeticë të Komunës së Prizrenit, Policia e Kosovës ka reaguar me shpejtësi duke ndërmarrë masa të menjëhershme hetimore.
Ngjarja ka ndodhur më 1 shtator 2025 rreth orës 15:30, dhe videoja e publikuar nga Gazeta Sinjali, sipas Policisë ka shërbyer si pikënisje për nisjen e veprimeve policore.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe pëlqimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, janë bastisur tre shtëpi të personave të dyshuar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar katër armë zjarri të tipit pistoletë, si dhe sasi fishekësh dhe gëzhoja. Tre persona u arrestuan menjëherë, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim. Njëri nga të dyshuarit u ndalua në Aeroportin e Prishtinës rreth orës 02:08 të mëngjesit të datës 2 shtator.
Katër prej të dyshuarve janë nën hetim për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”,
Ndërsa ndaj njërit, i cili rezulton të ketë qenë këngëtar në gazmendin familjar, është hapur procedurë për “Moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.