Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet për zyrtarin policor që gjatë arrestimit ka shtyrë dhe rrëzuar përtokë, ish-kryetarin e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faik Fazliu.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK pas publikimit të pamjeve ka filluar një hetim preliminar bazuar në autorizimet ligjore të saj”, tha ai për Sinjalin.
Fazliu u lirua sot, ndonëse ndaj tij ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Lutfi Morinës, Fazliu u lirua pasi që prokurori, pas intervistimit të tij, vlerësoi që nuk ka më rrethana që i njëjti të mbahet në ndalim./Gazeta Sinjali/