Trupi diplomatik në Kosovë ka vizituar Manastirin e Deçanit pas thirrjes që disa prej tyre i bënë Qeverisë së Kosovës, që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës rreth këtij manastiri.
Në këtë vizitë, në të cilën ishte pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, diplomatët u pritën nga igumeni Sava Janjiq, shkruan Gazeta Sinjali.
“I lumtur që iu bashkova kolegëve nga trupi diplomatik i Kosovës në një vizitë te Manastiri i bukur dhe historik i Deçanit“, ka shkruar Hovenier, në llogarinë e tij në Twitter.
Shtetet e QUINT’it me një deklaratë të përbashkët, për të katërtën herë, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës, që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokën e Manastirit të Deçanit.
“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar“, thuhet në reagimin e tyre.