Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka folur për raportet me shefin e tij në qeveri e parti, Albin Kurtin.
Konjufca ka thënë se raportet me Kurtin janë më të mira se kurrë më parë, ani pse për ta thënë këtë nuk mendoi më herët, duke zgjedhur heshtjen për rreth dy javë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Raportet janë më të mira se kurrë, jemi më afër se kurrë, më të fuqishëm se kurrë më parë. Unë kryeministrin Kurti e takoj mesatarisht 4 herë në javë. Shkoj në kryeministri, bisedojmë për problemet e Kosovës…. Unë dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës që raportet tona janë të shkëlqyeshme. Nuk kemi kurrfarë kundërthëniesh për mënyrën se si të ecim përpara”, ka thënë Konjufca në Interaktiv të KTV-së.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në disa intervista kishte deklaruar se qeverinë e tij e ka rrëzuar emisari i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Këtë qasje Konjufca e kishte cilësuar të gabuar. Ai kishte thënë se versioni i këtij shpjegimi duhet të jetë ndryshe.
Kjo është dyshuar të jetë pika e mosmarrëveshjes ndërmjet dy figurave kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas heshtjes së gjatë, para pak ditësh është publikuar një fotografi ku shihen Konjufca e Kurti së bashku me aktivistë tjerë/ Gazeta Sinjali/