Pas stuhisë që shkaktoi gjyqi i saj mediatik me Johnny Depp vitin e kaluar, Amber Heard ka thyer heshtjen. Heard është rishfaqur së fundmi, duke promovuar filmin e saj të ri “In the Fire”. Filmi zhvillohet në vitin 1988, ku ajo luan një psikiatër amerikane, e cila është e vendosur të zgjidhë rastin e një djali nga Kolumbia të akuzuar si djall nga njerëzit e një komuniteti.
Ajo foli se sa e vështirë ka qenë për të të përballet me kritikat ndaj saj pas zbulimeve që dolën në dritë në gjyqin me Depp: “Është diçka që më është dashur të mësoj, që nuk i kontrolloj historitë që të tjerët krijojnë rreth meje. Kjo është diçka që unë ndoshta do ta vlerësoj si një bekim gjatë rrugës”, shtoi ajo.
“Për momentin, thjesht nuk dua që të më hidhen kaq shumë gurë. Unë jam një aktore. Unë jam këtu për të mbështetur një film. Dhe kjo nuk është diçka për të cilën mund të paditet”.
Ajo foli gjithashtu për arritjet e saj në aktrim, duke siguruar se ka ‘dekada në industri’ që e lejojnë atë të ‘fitojë respekt për të qenë vetja’.
“Kjo është mjaft e rëndësishme. Ajo që kam kaluar nuk e bën aspak karrierën time. Dhe sigurisht që nuk do ta ndalojë karrierën time. Pra, le të flasim për këtë film.”
Ajo ka bërë edhe dy postime në rrjetet e saj sociale, sërish për të folur për promovimin e filmit dhe pjesëmarrjen e saj në festivalin e filmit në Itali:
“Çfarë pritjeje… Faleminderit të gjithë fansave dhe ndjekësve të mi. Jam shumë e prekur”, ka shkruar Heard në një postim të shkurtër në Instagram, ku shihet një turmë që i afrohet makinës ku ajo po udhëtonte për të marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Taormina.