Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ në Komunën e Podujevës, ku kandidati i partisë së tij, Shpejtim Bulliqi ka dalë fitues në këtë qytet, u ka bërë thirrje qytetarëve të shpërndahen pasi kanë dalë për të festuar fitoren e VV-së, shkruan Gazeta Sinjali.
Ish-kryeministri ka kërkuar që të shpërndahen qytetarët nga festa e tyre në mënyrë të qetë.
“Nuk ka fituar thjeshtë as Shpejtimi as Lëvizja por keni fituar ju. Ne nuk po e marrim komunën ne po ua kthejmë juve komunën. Me siguri që të gjithë jeni gëzuar shumë, me siguri që festa nuk do të përfundoj sonte. Unë ju lus që të shpërndaheni në mënyrë të qetë”, tha Kurti.
Ai po ashtu ka thënë gjatë tubimit se atje ka fituar qytetari i Podujevës që vendosi për VV-në dhe Shpejtim Bulliqin për kryetar.
“Kjo nuk është zgjedhje, kjo është referendum. Jo vetëm sonte por edhe në të ardhmen në Kosovë do të ketë referendume sepse populli është përcaktuar për Vetëvendosjen”. /Gazeta Sinjali/