Ish ministri i drejtësisë, Selim Selimi, i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratave të këtij të fundit se nuk e ka lexuar raportin e ShBA-së lidhur me fizibilitetin e Liqenit të Ujmanit, shkruan Gazeta Sinjali.
Selimi ka thënë se tash e tutje motoja e qeverisë për blerje të kohës do të jetë “nuk e kam lexuar raportin”.
“’Nuk e kam lexuar raportin’ – kjo do të jetë moto e Qeverisë për blerje të kohës”, ka shkruar ai në Twitter.
Kurti sot ka thënë se nuk e ka lexuar ende raportin dhe se ekipet që merren me këtë çështje do ta analizojnë atë dhe më pas do të dalin me qëndrim.
“Nuk e kam lexuar ende raportin, kemi ekipet që merren me këtë gjë, dhe pastaj do ta komentojmë”, ka deklaruar Kurti.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dorëzuan Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që ishte pjesë e Marrëveshjes së 4 Shtatorit 2020, që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prezencë edhe të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump./Gazeta Sinjali/