Pas shkarkimit nga pozita e gjashtë anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes “Trepça” nga Qeveria Kurti, ka reaguar menjëherë Arsim Musa nga këshilli protestues i protestave, duke e quajtur atë si një vendim shumë të drejtë.
Musa ka njoftuar se kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka premtuar që deri të hënën do të shkarkojë menaxhmentin e kësaj ndërmarrje dhe do të anulojë plotësisht konkursin.
“Është marrë një vendim shumë i drejtë, një vendim pak me vonesë, por i duhur. Ne jemi falënderues ndaj kryeministrit Kurti dhe ministres Rozeta Hajdari, të cilët kanë bërë në mënyrë të ligjshme shkarkimin e Bordit të Trepçës. Dje kemi qenë në takim prej rreth 40 minutash te kryeministri së bashku me këshillin protestues. I kemi shpjeguar disa gjëra, materiale dhe faktet që i kemi, me përpikëri të gjitha. Kryeministri ka premtuar që më së largu deri të hënën në mëngjes, të shikohet ana ligjore e procesit, që të shkarkohet menaxhmenti dhe konkursi të bihet në zero”, ka thënë ai.
Sipas tij, protestat nuk do të ndalen deri në shkarkimin e menaxhmentit dhe anulimin e plotë të konkursit.
Esat Peci, Feriz Fetahu, Xhafer Nuhi, Shyqeri Sadiku, Ardian Syla dhe Naser Peci janë anëtarët e bordit të Trepçës të cilët u shkarkuan nga qeveria gjatë ditës së djeshme. Shumica prej tyre kanë lidhje me njerëz të politikës – prej tyre ka ish-kandidat komune, asamblist dhe ish-anëtar të Bordeve të cilët vijnë nga partitë të cilat ishin në qeveri, mandatin e kaluar.
Vendimi i qeverisë për shkarkimin nga pozita të bordit të drejtorëve të Trepçës ka ardhur pas propozimit të ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari./GazetaSinjali/