image Partitë opozitare mbledhin nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për taksën

Kosovë

Qeveria/ Partitë opozitare mbledhin nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për taksën

news image

Partitë opozitare kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të kuvendit për mbrojtjen e taksës e inicuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se nënshkrimet janë dhënë nga tri partitë opozitare dhe tani pritet vetëm caktimi i datës për seancë.

Paralajmërimet e AAK-së se do të kundërshtojnë në çdo formë heqjen e taksës dhe zëvendësimin e saj me masa të reciprocitetit, tashmë kanë marrë një drejtim me mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Teuta Haxhiu, nga AAK-ja, ka sqaruar se tashmë nënshkrimet e deputeteve janë siguruar nga tri partitë opozitare për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme.

“Nënshkrimet i kemi mbledhur me tri partitë opozitare, AAK-ja, PDK dhe Nisma, dhe do të dakordohemi për ditën, sigurisht se gjithçka do të jetë në pajtim me të tri subjektet opozitare, sot nuk do të jetë por ajo që është me rëndësi ne jemi bashkë për shkak të interesit të vendit, e jo interesi ndonjë subjekti politik”, ka thënë Haxhiu për Radio Kosovën.

Haxhiu thotë se përmes Kuvendit do të mundohen ta ngrisin zërin pasi i preket interesit të Kosovës. Ajo kërkon nga kryeministri i Kosovës të sqarojë se cilat do të jenë përfitimet e vendit me paralajmërimet për heqje të taksës.

“Kemi marrëveshje të nënshkruara dhe ato asnjëherë Serbia nuk i ka jetësuar, atëherë për çfarë reciprociteti po flasim, mirë është me dalë me na tregu pse ai po bën një hap prapa derisa paralajmëron reciprocitet mbi taksën”, ka theksuar ajo.

Tashmë pritet Kryesia e Kuvendit ta shqyrtojë kërkesën e 40 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme dhe ta caktojë mbajtjen e saj./ Gazeta Sinjali/