image Parlamenti Evropian miraton vendimin për lëshimin e çertifikatave digjitale të COVID-19

Evropë

Parlamenti Evropian miraton vendimin për lëshimin e çertifikatave digjitale të COVID-19

news image

Parlamenti Evropian ka miratuar sot vendimin për lëshimin e çertifikatave digjitale të COVID-19 përmes së cilave blloku evropian synon që të lehtësojë lëvizjen e njerëzve, shkruan Gazeta Sinjali.

Këtë e ka bërë të ditur Parlamenti përmes një komunikate për shtyp.

Juan Fernando Lopez Aguilar, Kryetar i Komitetit për Liritë Qytetare në Parlamentin Evropian, iu bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të përmbahen nga vendosja e kufizimeve shtesë ndaj pandemisë, përveç nëse ato janë shumë të nevojshme.

Sipas vendimit të PE-së, çertifikatat do të lëshohen duke filluar nga 1 korriku 2021.

Çertifikatat pritet të jenë falas dhe ato do të lëshohen nga shërbimet shëndetësore të vendeve anëtare, do të përmbajnë një kod, si dhe do të jenë të përfshira në sistem digjital, por edhe në formë të letrës.

Në këtë çertifikatë do të përfshihen të dhënat nëse personi që e posedon është i vaksinuar, ka një rezultat negativ të testit apo është shëruar nga COVID-19.

Por. çertifikata nuk do të jetë një parakusht për lëvizjen e lirë dhe nuk do të konsiderohet një dokument udhëtimi.

Parlamenti Evropian, përmes një deklarate, tha  se BE-ja do të parandalojë mundësinë që çertifikatat të falsifikohen.

Çertifikatat do të vlejnë vetëm për udhëtim brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ato do të lëshohen për personat e vaksinuar me njërën nga vaksinat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

Vaksinat e Pfizer/Biontech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnon & Johnson janë miratuar për përdorim në territorin e BE-së.

Por disa vende anëtare siç janë Hungaria dhe Sllovakia përdorin edhe vaksinën ruse Sputnik-V e cila ende nuk është miratuar nga BE-ja. /Gazeta Sinjali/

Këtu mund ta gjeni komunikatën e plotë.