image Parkingu i një pompe derivatesh bëhet shkas i rrahjes me skalper në Gjakovë

Siguri

Parkingu i një pompe derivatesh bëhet shkas i rrahjes me skalper në Gjakovë

news image

Një rrahje mes dy personave ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në parkingun e një pompe të derivateve në Gjakovë (emër i njohur për redaksinë), me ç’rast punëtori i kësaj pompe e ka sulmuar me grushta një qytetar, derisa ky i fundit ia kishte kthyer sulmin me skalper, njoftojnë sinjalizuesit e Gazetës Sinjali.

Rastin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar edhe Policia në Gjakovë, si dhe kanë bërë të ditur se qytetari B.T., u arrestua pas gati tre orësh dhe ndodhet në ndalim policor prej 48 orësh, për lëndimet që i ka shkaktuar punëtorit të pompës.

Por si filloi përleshja dhe cila është arsyeja?

Sipas sinjalizuesve, të cilët kanë qenë dëshmitarë në vendin ku ka ndodhur përleshja, e gjithë ngjarja filloi pas një mosmarrëveshje verbale për shkak se qytetari i përfshirë në këtë incident e kishte parkuar furgonin e tij në parkingun e kësaj pompe.

Si rezultat i këtij veprimi, punëtori i pompës e kishte sulmuar me grushta qytetarin, kurse ky i fundit e sulmoi atë me skalper, ku si pasojë viktimës i kishte shkaktuar disa prerje në kokë.

Nga lëndimet e marra viktima është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Gjakovës, por i njëjti është lëshuar pas trajtimit mjekësor.

I dyshuari B.T., fillimisht kishte ikur nga vendi i ngjarjes, por rreth orës 15:30, Policia kishte arritur ta arrestojë dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

I njëjti dyshohet për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

/GazetaSinjali/