image Paralajmërohen diskutime të Kurtit me partitë tjera për presidentin

Politikë

Paralajmërohen diskutime të Kurtit me partitë tjera për presidentin

news image

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit ende nuk janë certifikuar. Mirëpo, partia e parë e dalë që fitoi zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka një marrëveshje parazgjedhore të nënshkruar me Listën “GUXO” të Vjosa Osmanit, që kjo e fundit të jetë kandidate për presidente.

Për ta votuar Vjosa Osmanin për presidente, LVV-së e Listës ‘GUXO’ i duhet bashkëpunim edhe me partitë tjera, në mënyrë që të njëjtat të paktën të qëndrojnë në sallë ditën e votimit.

Deputetja e zgjedhur e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila që është edhe kryetare e Alternativës po paralajmëron takime të kreut të LVV-së, Albin Kurtit me partitë tjera pikërisht për këtë çështje.

Ajo ka thënë se fakti që Vjosa Osmanit ka marrë mbi 300 mijë vota tregon se ka një mbështetje popullore për t’u emëruar presidente.

“Zgjedhja e presidentit është obligim kushtetues ligjor për ne të gjithë për arsye se dështimi për të bërë një gjë të tillë e çon Kosovën në një proces zgjedhor. Nuk e besojmë që partitë të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhje e shohin si moment të duhur të paktën që të shkohet në zgjedhje natyrisht që pozita dhe zyra e presidentit në këtë rast presidentes paraqet personin e autoritetin unifikues dhe po besoj që mbështetja e madhe që i është dhënë Vjosa Osmanit në këto zgjedhje me personin më të votuar ndonjëherë në Kosovë me 300 mijë vota tregon që për herë të parë arrihet komplet qëllimi i të pasurit një person që ka mbështetje popullore masive siç e ka Vjosa Osmani.

Gjithashtu besoj që në ditët në vijim do të ketë edhe diskutime dhe trajtim normal me subjektet e tjera për pozicionimet e tyre politike kur të votohet presidentja, por nuk e shoh në interes të përgjithshëm qytetar tash duke u distancuar edhe nga pozita politike e deputetes që është në interes të ditur që Kosova të ballafaqohet edhe me një palë zgjedhje si rrjedhojë e dështimit të zgjedhjes së presidentes”, tha ajo për EO.

/GazetaSinjali/