Gjykata Themelore e Pejës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre të pandehurve E.L., M.Q dhe F.U. për vrasje të mbetur në tentativë.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Pejës ekziston dyshimi i bazuar se tre të pandehurit më 15 prill, të pajisur me thika kanë tentuar të privojnë nga jeta D.M. Derisa D.M. po festonte ditëlindjen, ata kanë shkuar dhe me të hapë derën ai e kanë sulmuar me thikë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
“Të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen dhe duke e pas parasysh se të njëjtit fillimisht janë arratisur dhe për një kohë kanë qenë të paarritshëm për organet e ndjekjes andaj, me gjetjen e mundshme të tyre në liri mund të arratisen dhe të pengojnë rrjedhën normale të procedurës. Gjithashtu, dëshmitarët e rastit ende nuk janë dëgjuar dhe të pandehurit janë shokë të ngushtë me njëri – tjetrin andaj, po qe se të pandehurit gjenden në liri do të mund të ndikonin në dëshmitarë dhe të bashkërendojnë mbrojtjen me njëri – tjetrin e në këtë mënyrë do të vështirësonin procedurën e hetimeve. Nga të lartcekurat, gjykata ka gjetur se paraburgimi është masa adekuate për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës./Gazeta Sinjali/