Pas Qendrës së Studentëve (QS), Paqja Studentore i ka bërë kërkesë edhe rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, që të kontaktojë drejtorin e QS-së në lidhje me sigurinë e gjësendeve të studentëve.
Përmes kësaj kërkese, kjo organizatë ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje në mënyrë që studentët të mund t’i marrin librat dhe gjërat e domosdoshme që u kanë mbetur në konvikte.
“Duke e ditur që banorët e këtyre konvikteve janë studentë të universitetit të cilin e drejtoni, kërkojmë nga ju që ta kontaktoni zyrtarisht drejtorin e Qendrës dhe të kërkoni përkujdesje për gjësendet e studentëve nga ana e institucionit që ky i fundit drejton, si dhe së bashku të gjeni një zgjidhje që studentët të mund t’i marrin librat dhe gjërat e tjera, të cilat janë mëse të domosdoshme për ta”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.
Paqja Studentore bën të ditur se kërkesa erdhi si rezultat i ankesave të vazhdueshme që kjo organizatë studentore i ka pranuar nga studentët, të cilët janë të shqetësuar për sigurinë e gjërave të tyre pas shndërrimit të konvikteve në karantinë./Gazeta Sinjali/