image Pandora Papers: Liderët botërorë mohojnë keqbërjen pas rrjedhjes së dokumenteve

Botë

Pandora Papers: Liderët botërorë mohojnë keqbërjen pas rrjedhjes së dokumenteve

news image

Disa nga liderët botërorë e kanë refuzuar pjesëmarrjen në rrjedhjen më të madhe të dokumenteve financiare, të njohur si “Pandora Papers”, që përmban 12 milionë dosje.

Presidenti rus Putin dhe mbreti i Jordanisë Abdullah II bin Al-Hussein janë në mesin e 35 liderëve aktualë dhe të mëhershëm që janë të lidhur me këto dosje.

Të dy kanë lëshuar deklarata ku thuhet se nuk kanë bërë asgjë gabim, shkruan BBC.

Pallati Mbretëror i Jordanisë ka thënë se “nuk është e pazakontë e as e pahijshme” që mbreti Abdullah ka prona jashtë vendit.

Dokumentet e rrjedhura tregojnë se mbreti Abdullah ka shpenzuar në mënyrë të fshehtë më shumë se 100 milionë dollarë në prona në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, prej kur e ka marrë pushtetin në vitin 1999.

Në ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e ka vënë në dyshim besueshmërinë e informacionit “të pabazuar”, pasi dolën detaje nga pasuria e fshehur që lidhet me presidentin rus Vladimir Putin dhe njerëzit e tij të afërt.

“Aktualisht nuk është e qartë çfarë është ky informacion dhe për çka bëhet fjalë”, i ka thënë ai gazetarëve, duke shtuar se “nuk kemi parë aty asnjë pasuri të fshehur të rrethit të ngushtë të Putinit”.

Kryeministri çek Andrej Babis, i cili dyshohet se nuk e ka deklaruar një kompani investimesh offshore të cilën e ka shfrytëzuar për të blerë dy vila në vlerë prej 12 milionë funtash në jug të Francës, ka thënë se akuzat janë një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet që do të mbahen këtë javë, derisa ka insistuar se “asnjëherë nuk ka bërë diçka të gabuar ose ilegale”.

Pandora Papers është rrjedhja e gati 12 milionë dokumenteve dhe dosjeve që ekspozojnë pasurinë e fshehtë dhe marrëdhëniet e liderëve botërorë, politikanëve dhe miliarderëve.

Të dhënat u morën nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues në Washington DC i cili ka udhëhequr një nga hetimet më të mëdha globale ndonjëherë.

Më shumë se 600 gazetarë nga 117 shtete kanë hulumtuar pasuritë e fshehura të disa prej njerëzve më të fuqishëm në planet. /GazetaSinjali/