Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë ka bërë një vlerësim të cilësisë së ajrit gjatë muajve mars dhe prill 2020. Kjo është bërë për të krahasuar të njëjtën periudhë te vitit të kaluar, në mënyrë që të analizohet se si kanë ndikuar masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, thuhet në njoftimin e AMMK-së .
“Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kanë rezultuar në rënie të qarkullimit rrugor dhe në dinamikën e disa aktiviteteve tjera ekonomike, të cilat kanë ndikuar që të ketë edhe rënie të ndotjes së ajrit për disa parametra e sidomos me parametra që ndërlidhen me transportin rrugor” – thotë AMMK.
Të dhënat tregojnë për ulje të përqendrimeve të disa ndotësve të ajrit, e në veçanti të përqendrimeve të dyoksidit të azotit dhe grimcave të pluhurit që kryesisht vijnë për shkak të zvogëlimit të trafikut, thuhet në njoftim.
“ Të dhënat nga stacionet e monitorimit, flasin për ulje të ndotjes në shkallë deri në 50 përqind në nivel të vendit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”
Bazuar në të dhënat e regjistruara nga stacionet matëse në Institutin Hidro-Meteorologjik të Kosovës është vlerësuar se mesatarja e koncentrimit të dyoksidit të azotit në nivel të Kosovës, gjatë muajit mars të këtij viti ka qenë rreth 50 përqind më e ulët se sa ishte në muajin mars të vitit kaluar.
“Ndërsa gjatë muajit prill mesatarja e koncentrimit të dyoksidit të azotit në nivel të Kosovës ka qenë rreth 10.4 µg/m3, krahasuar me rreth 23.7 µg/m3 sa ishte në muajin prill të vitit kaluar”- thotë njoftimi.
Sipas AMMK-së në uljen e koncetrimit të ndotjes janë regjistruar edhe parametra të tjera, përqëndrimi i të cilave është i ndërlidhur me aktivitetin e transportit. Gazeta Sinjali