Katër persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident të rëndë automobilistik që ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 08:23 në autostradën Fier-Vlorë, përcjell Gazeta Sinjali.
Për fat të keq, 4 viktimat janë anëtarë të një familje. Ata udhëtonin me makinën tip Toyota me targa greke kur u përplasën nga pas nga një automjet tjetër tip Audi.
Për pasojë, 4 familjarët që udhëtonin me makinën Toyota humbën jetën, 3 në vendngjarje dhe 1 në spital. Viktimat janë çifti i bashkëshortëve dhe 2 fëmijët e tyre të mitur. Për të nxjerrë trupat e pajetë është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse të cilët kanë prerë hekurat e makinës Toyota të shkatërruar tërësisht.
Ndërsa, janë plagosur edhe shoferi dhe pasagjeri i makinës tjetër tip Audi. Ata janë dërguar në Spitalin e Vlorës për ndihmë mjekësore.
Si pasojë e përplasjes së fortë mes dy automjeteve, dy makinat dolën tërësisht nga karrexhata dhe përfunduan në anë të rrugës.
Aksidenti fatal ndodhi në vendin e quajtur “Kripa” pranë fshatit Panaja të Vlorës. Forca të shumta policie shkuan në vendngjarje.
Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të aksidentit, identifikimin e viktimave dhe të personave të plagosur. /Gazeta Sinjali/