image Pamje ekskluzive: Ky është i dyshuari që kërcënoi me vrasje policin në Prizren, momenti kur arrestohet

Siguri

Pamje ekskluzive: Ky është i dyshuari që kërcënoi me vrasje policin në Prizren, momenti kur arrestohet

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të kanosjes serioze që ndodhi brenda stacionit policor në Prizren, por që i parapriu një incident ku i dyshuar është një 34-vjeçar. I riu, që dyshohet se kërcënoi me vrasje një zyrtar policor, fillimisht u ballafaqua me Policinë që e ndoqi qindra metra, derisa e kapën në një rrugë të qytetit.

Por kush është i dyshuari dhe cilat janë detajet tjera të rastit?

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuar për këtë rast është Valmir Susuri, 34-vjeçar, recidivist i veprave të ndryshme penale, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Susuri, i cili ishte në gjendje të dehur fillimisht u urdhërua  që të ndalej në një pikë kontrolli, por përveç që shpërfilli Policinë, ai edhe rrezikoi jetën e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.

I riu rriti shpejtësinë e lëvizjes duke tentuar që të ikë, por Policia arriti ta ndalojë pas qindra metrash ndjekjeje. Ai bashkë me dy miq të tij tentuan sërish të ikin, por zyrtarët policorë i futen nën kontroll.

Sinjali ka siguruar edhe pamjet e momentit kur i dyshuari është ndaluar nga Policia dhe shihet i prangosur në tokë. Në videon e dërguar nga sinjalizuesi dëgjohet i dyshuari teksa flet me zë të lartë dhe iu drejtohet policit me “qiky…”, teksa ky i fundit ia kthen “Shuj”.

Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, i dyshuari ka vazhduar me të njëjtat sjellje dhe ka eskaluar deri në atë pikë sa e ka kërcënuar me vrasje njërin nga zyrtarët policorë.

Kanosja serioze ndaj policit i kushtoi atij me ndalim, pasi Prokurori i Shtetit urdhëroi që i dyshuari të dërgohet në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”.

Sinjali mëson nga burimet brenda Prokurorisë se Susuri është emër i njohur për Policinë, për shkak të historisë së tij të pasur me vepra të ndryshme kriminale.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë.

/GazetaSinjali/