Një burrë nga Florida e Shteteve të Bashkuara është akuzuar për tentim vrasje, pasi dyshohet se tentoi të ngufaste një grua në një pritore autobusi.
Aaron Quinones, 27 vjeç, akuzohet për tentim vrasje të një gruaje gjithashtu 27 vjeçe në një pritore autobusi në distriktin Miami-Dade të dielën paradite, shkruan Fox News.
Sipas një deklarate të policisë lokale, dyshohet se gruaja ishte duke e pritur autobusin, kur Quinones filloi ta shtrëngonte në fyt me lidhëse këpucësh në një pritore të autobusit.
Në një video shihet se si i dyshuari i afrohet pas shpinës tinëz gruas dhe shpejt mundohet që ta ngufasë. Për fat të mirë, pas disa sekondave afrohet një burrë që ndërhyn, pasi i dyshuari, kur dështon në ngufatje, fillon ta godasë viktimën.
Policia thotë se pas ndërhyrjes së kalimtarit të rastit, i dyshuari kishte ikur nga vendi i ngjarjes. As kalimtari nuk ishte aty, kur policia shkoi në vendin ku ndodhi rasti. Policia arriti që ta arrestonte të dyshuarin më vonë.