Emisari BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer do të takohen sot me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton Sinjali.
Pas vizitave që kanë bërë në Kosovë, ata kanë vazhduar drejt Serbisë, ku sipas Tanjug, takimi i Vuçiqit me Lajçakun do të mbahet në ora 17:00 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Serbisë, ndërsa Matthew Palmer do t’i bashkohet takimit në 17:30.
Para pak ditësh Kurti i priti në takim Lajçakun dhe Palmerin me të cilët u diskutua rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ku ndër të tjera kryeministri i shtetit u shpreh se bashkëpunimi dhe koordinimi midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, “është i mirëseardhur, sepse është i domosdoshëm”.
Arsyeja e vizitave të Lajçakut dhe Palmerit merret vesh se është edhe përgatitja e takimit Kurti-Vuçiq.