Pajisja “Trace Together Token” në Singapor, është mënyra më e re e “gjurmimit” të koronavirusit përmes teknologjisë, mirëpo kjo pajisje ka ngritur shqetësimin tek njerëzit për sa i përket ruajtjes së privatësisë.
Sipas mediave të huaja, agjencia qeveritare e cila zhvilloi pajisjet, e pranoi se Token dhe teknologjia në përgjithësi nuk është një “zgjidhje magjike”, por duhet të shtojnë përpjekjet e gjurmuesve të kontaktit njerëzor.
Të parët që pranuan këto pajisje janë mijëra të moshuar që nuk posedojnë telefona të avancuar.
Kështu, ata u detyruan të jepnin ID-n e tyre dhe numrat e telefonit.
Nëse përdoruesit e pajisjes Token rezultojnë pozitivë me koronavirus, ata duhet të dorëzojnë pajisjen e tyre në Ministrinë e Shëndetësisë, sepse ndryshe nga aplikacioni, ata nuk mund të transmetojnë të dhëna përmes internetit.
Përdorimi i tij është në mënyrë vullnetare, përveç disa punëtorëve migrantë, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të infeksioneve në Singapor.
Qeveria thotë se aplikacioni i ndihmoi atyre në luftimin e kësaj pandemie, shkruan tg. Por pranohet se teknologjia nuk funksionon ashtu siç ishte shpresuar.
Gjurmimi i automatizuar i kontaktit në teori mund të jetë jashtëzakonisht i efektshëm, por vetëm nëse përfshihet një përqindje e madhe e një popullate.
Shqetësimet mbi privatësinë
Kur pajisja Token u prezentua për herë të parë në fillim të qershorit, shpërtheu një reagim publik kundër qeverisë.
Një grup filloi një peticion në internet duke kërkuar që ajo pajisje të mos përdorej, ndërsa pothuajse 54 mijë njerëz e nënshkruan atë.
Ndërkohë zyrtarët deklaruan se pajisjet nuk i gjurmojnë të dhënat e vendndodhjes së GPS, kështu që nuk mund të përdoren për mbikëqyrjen e lëvizjeve të një personi.
Edhe njëri nga krijuesit tregoi se këto pajisje nuk mund të përdoren si gjurmues të vendndodhjes.
Ai shton se skema është më pak e përqendruar në privatësi, se sa një model i promouar nga Apple dhe Google.
Ndërkohë, Micheal Veaele, një ekspert për të drejtat dixhitale në University College London, paralajmëron për potencialin e mashtrimit.
Ai jep një shembull në të cilin një qeveri që lufton kundër COVID-19, mund të dëshirojë të zbatojë kontrollin e karantinës.
Ata mund të vendosin sensorë në Bluetooth në hapësirat publike për të identifikuar përdoruesit e kësaj pajisjeje që gjenden jashtë, dhe kur ata duhet të izolohen në shtëpi.
Mirëpo, zyrtari përgjegjës i agjencisë për Trace Together Token, i hedh poshtë të gjitha shqetësimet.
“Ekziston një marrëdhënie e lartë besimi midis qeverisë dhe njerëzve, dhe ka mbrojtje të të dhënave”, thotë Kok Ping Soon, shefi ekzekutiv i GovTech.
Ai shton se shpreson që publiku të pranojë që autoritetet shëndetësore kanë nevojë për këto të dhëna për t’i mbrojtur ata dhe të dashurit e tyre.
Një arsye tjetër që Singapori preferon skemën e vetë dhe jo atë të Apple dhe Google, është se mund t’ju sigurojë epidemiologëve një pasqyrë më të qartë për përhapjen e një shpërthimi.
Nëse kjo pajisje në Singapor rezulton me sukses, vendet e tjera mund të aplikojnë këtë metodë. /Gazeta Sinjali