Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, po thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) nuk po u lëshon leje disa investitorëve të huaj për një projekt energjetik në Sharr e Brezovicë, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas tij, ky projekt ka 10 Mgw kapacitet prodhues të energjisë.
“Sot kemi një politikë problematike për sektorin e energjisë, e cila është thelluar prej disa vitesh. Ka projekte që po dështojnë në sektorin e energjisë, ka të tjera që janë bërë investimet por nuk mund të vihen në funksion për shkak të bllokadave procedurale dhe administrative në ZRrE.”
“Një rast i tillë është në Sharr dhe Brezovicë (rastësisht e njoh rastin janë investitorë nga jashtë), të cilat kanë mbi 10 Mgw kapacitet prodhues të energjisë, por nuk janë duke u lëshuar licencë nga ZRRE”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.
Sipas tij, ky është momenti i fundit që “sektori privat të shihet si partner në shtimin e kapaciteteve energjetike në Kosovë dhe jo të trajtohet siç po bëhet tani nga ZRrE”.
Me politikat e tanishme, Pacolli thotë se me “pengesat burokratike dhe problemet energjetike po i largojnë investitorët aktualë dhe potencialë nga Kosova”./GazetaSinjali/