image Pacolli tregon se si duhet të zgjedhet presidenti që të evitohen pazarllëqet politike

Politikë

Pacolli tregon se si duhet të zgjedhet presidenti që të evitohen pazarllëqet politike

news image

Pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte ndaj Hashim Thaçit nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, ai dha dorëheqje nga posti i presidentit, e që nga ajo ditë vazhdon të diskutohet se cilit subjekt politik duhet t’i takojë ky post, kështu duke pasur mospajtime, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli thotë se është koha për reflektim dhe reformë kushtetuese. Sipas tij, duhet të miratohen amandamentet kushtetuese të punuara në vitin 2011 ku zgjedhja e presidentit parashihet përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë me mandat 5 vjet, sipas procedurës së paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ndërsa sipas Pacollit kjo është arsyeja që çdo 5 vjet ne hyjmë në paqëndrueshmëri politike.

Për shkak se presidenti ynë zgjidhet nga Parlamenti, ne hyjmë çdo 5 vjet në paqëndrueshmëri politike dhe qeveria tani varet nga rezultati i procesit të zgjedhjeve të presidentit”, u shpreh ai.

Tutje kreu i AKR-së shton se kjo nuk do ta bëjë normal sistemin politik të Kosovës por një sistem që përfiton pazarllëqe politike.

Prandaj kjo është arsyeja që Pacolli kërkon reflektim dhe reformë kushtetuese që presidenti të zgjedhet nga vota e qytetarëve.

Ai konsideron se kjo është zgjidhja ideale që do të evitonte pazaret politike dhe do të zgjidhte njëherë e mirë krizën që po përsëritet çdo 5 vite.

Kujtojmë që aktualisht ushtruese detyre e Presidentit të Kosovës është Vjosa Osmani.

Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

/Gazeta Sinjali/