Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i ka dalë në krah kryeministrit Albin Kurti, pak ditë pasi ai u sulmua nga deputetja e Partisë Demokratike, Ganimete Musliu, se fëmija i tij nuk flet shqip, shkruan Gazeta Sinjali.
Pacolli, ka shkruar se edhe ai ishte sulmuar dikur njëjtë, me akuza se fëmijët e tij nuk flasin gjuhën shqipe.
“Askush nuk ka të drejtë të sulmoj askënd duke përdorur fëmijët. Fëmija është i shënjtë për çdo prind pa marrë parasysh kush është ai dhe çfarë profesioni ushtron. Fatkeqësisht edhe mua janë munduar të më sulmojnë se “fëmijët e mi nuk flasin shqip” (Ata flasin shqip jo më pak se çdo fëmijë në Kosovë). Ne sot jetojmë në një botë ku fëmijët mësojnë disa gjuhë në të njëjtën kohë, dhe të gjithë fëmijët janë njësoj të veçantë në zemrat tona. Është e rëndësishme që ne të rriturit t’i lëmë fëmijët të jenë fëmijë, të flasin në çfarë gjuhe duan. Çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijën e tij. Fëmija është pasuria më e madhe në jetë”, shkroi Pacolli. /Gazeta Sinjali/