Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka dalë kundër idesë që banorët e qyteteve të tjera të Kosovës të hyjnë me pagesë në Prishtinë.
Madje, Pacolli ka thënë se arsyeja e heshtjes së tij për këtë taksë, ka qenë mendimi se ky propozim është një shaka e sezonit.
“Është e padrejtë ndaj qytetarëve, vetëm të mendojnë për një gjë të tillë. Komunat nuk mund të prekin gjithmonë xhepat e qytetarëve për të justifikuar ‘punën’ e tyre ose më saktë ‘përshtatshmërinë e tyre të modus operandit’. Ju komunarët nuk guxoni ta bëni atë”, ka shkruar Pacolli ndër të tjera në Facebook, duke kundërshtuar kështu edhe vëllain e tij, Selim Pacollin, i cili është nënkryetar i Komunës së Prishtinës dhe i cili po ashtu e ka promovuar idenë e kësaj takse.
Ky është shkrimi i plotë :
Në propozimin e Komunës së Prishtinës për hyrjen me pagesë, deri më tani kam heshtur duke menduar se është një shaka e sezonit.
Është e padrejtë ndaj qytetarëve, vetëm të mendojnë për një gjë të tillë. Komunat nuk mund të prekin gjithmonë xhepat e qytetarëve për të justifikuar “punën” e tyre ose më saktë “përshtatshmërinë e tyre të modus operandit”. Ju Komunarët nuk guxoni ta bëni atë.
Zgjidhja e problemit të trafikut në qytet ishte propozimi im i hershëm….bartjen e administratës dhe zyrave të tjera civile dhe të biznesit nga qyteti në periferi, së bashku me kampuset universitare në mënyrë që qyteti aktual t’u lihet banorëve. Kjo ka qenë, mbetet dhe do të jetë zgjidhja e vetme.
E them nga viti 2006. Kur isha në qeveri u përpoqa më gjithë qenien për ta bërë të mundur këtë (edhe duke financuar një pjesë të madhe nga logjistika ime) por isha i vetmuar në këtë ide dhe kjo u banalizua nga kolegët e mi në qeveri. Për këtë, unë kisha prezantuar një projekt i cili madje ishte “humbur” në mjediset e Kryeministrisë.
Nëse ata do të më kishin dëgjuar mua, sot do të kishim pjesën më të madhe të “Qytetit Administrativ” në Hajvali dhe ajo hapësirë nuk do të ishte shkatërruar siç po ndodh tani. Kështu do të dukej Prishtina e Re. /Gazeta Sinjali/