image Pacolli flet për zhvillimet në Kazakistan: Punëtorët e Mabetex janë mirë, trazirat janë organizuar nga faktori i jashtëm

Diasporë

Pacolli flet për zhvillimet në Kazakistan: Punëtorët e Mabetex janë mirë, trazirat janë organizuar nga faktori i jashtëm

news image

Në qytetin Almaty të Kazakistanit ka disa ditë që kanë shpërthyer protesta të dhunshme si rezultat i pakënaqësive me ngritjen e çmimit të karburanteve. Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, si rezultat i përplasjeve mes ushtrisë dhe protestuesve kanë mbetur dhjetëra të vdekur nga radhët e dy palëve.

Por cila është gjendja e sigurisë së kosovarëve që punojnë atje?

Kreu i AKR-së dhe pronari i “Mabetex Group”, Behgjet Pacolli thotë se gjendja e punëtorëve të tij është e mirë. Ai ka treguar se nuk ka trazira nëpër qytetet ku punojnë punëtorët kosovarë.

“Punëtorët janë mirë, ka filluar puna pas festave të fund vitit. Në qytetet ku ne punojmë nuk ka trazira”, ka thënë Pacolli për Express.

Në ndërkohë një punëtor kosovar rreth të 20-ave ka thënë për Radio Evropën e Lirë se janë të shqetësuar me gjendjen që është krijuar në Kazakistan.

Ai tha se janë të mbyllur  dhe se kompania ua ka sjellë pasaportat dhe se u kanë thënë se nesër e kanë pushim.

Pacolli i cili njihet për miqësinë dhe afërsinë e tij me ish-presidentin kazak Nursultan Nazarbayev aludon që trazirat në shtetin aziatik janë duke u organizuar nga një faktor i jashtëm dhe sipas tij, një gjë e tillë është tejet e dukshme.

Trazirat janë të organizuara nga faktori i jashtëm, kjo është ma se evidente”, ka potencuar Pacolli.

“Mabetex Project Engineering” në pronësi të Behgjet Pacollit ka kryer një seri punësh në Kazakistan përfshirë ndërtimin e Rezidencës së Presidentit në Nur Sulltan, ndërtesa të ministrive si dhe salla të koncerteve atje, përfshirë  Teatrin Nacional të Dramës Neo-Klasike, Teatrin e Operës dhe Baletit, Aeroportin në Nur Sulltan, ndërtesën e Ministrisë së Sportit dhe Turizmit në Kazakistan, e të tjera.

/GazetaSinjali/