image Pacolli: Deklarata e Pavarësisë vazhdon të jetë më i bukuri dokument që kam firmosur në jetë

Politikë

Pacolli: Deklarata e Pavarësisë vazhdon të jetë më i bukuri dokument që kam firmosur në jetë

news image

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së vendit.

Pacolli përmes një postimi në Facebook, ka thënë se rrugëtimi i vendit nuk ishte i lehtë andaj duhet të punohet për forcimin dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, duke u dhënë motiv që të mos largohen nga vendi.

“Nga zemra uroj të gjithë shqiptarët, kudo, me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Nesër po bëhen 14 vjet kur ne shpallëm pavarësinë, të cilën e kishim ëndërruar kaq gjatë. Rrugëtimi nuk ishte i lehtë dhe vazhdon të mos jetë, por duhet të punojmë të gjithë së bashku për të forcuar vendin tonë dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve. Duke u dhënë motiv dhe vullnet të qëndrojnë në vend, dhe jo të ëndërrojnë largimin. Kjo ishte edhe ëndrra e heronjve tanë, të cilët dhanë edhe jetën për Kosovë, e të cilët ne sot dhe përgjithmonë duhet t’i kujtojmë”, ka shkruar ish-presidenti në Facebook.

Ai madje tha se firmosja e Deklaratës së pavarësisë është më i bukuri dokument që ka firmosur në jetën e tij, transmeton Klankosova.tv

“Nga të gjitha dokumentet që kam firmosur në jetë, Deklarata e Pavarësisë vazhdon të jetë më e bukura e jetës sime. Urime gjithëve kjo ditë e madhe!”, ka shtuar ai.

/GazetaSinjali/