image Pa rishikim të buxhetit, përfituesit e pakos emergjente s’do t’i marrin nga 170 euro

Biznes

Pa rishikim të buxhetit, përfituesit e pakos emergjente s’do t’i marrin nga 170 euro

news image

Përfituesit e Pakos Emergjente, nuk do t’i marrin pagat nga 170 euro pa u rishikuar buxheti i këtij viti në Kuvendin e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari i ministres së Financave, Lulëzim Krasniqi, i cili beson se më së largu deri në fillim të javës së ardhshme, Qeveria do ta procedojë në Kuvend ligjin për rishikim të buxhetit.

Për shkak të mos rialokimit të mjeteve, Krasniqi theksoi se pa u rishikuar buxheti, edhe një pjesë tjetër e punëtorëve që nuk kanë arritur t’i marrin pagat as për majin prill nga 170 euro nuk do të mund t’i kenë në kontot e tyre.

“Ekzekutimi për aq sa ka pasur fonde në dispozicion janë ekzekutuar nga 170 euro. Pjesa tjetër pritet tash pas rishikimit të buxhetit. Në momentin që ndodhë rishikimi i buxhetit, ndahen fondet për mbulim të Pakos emergjente dhe do të vazhdojë menjëherë ekzekutimi i pagave të tjera”, thotë Krasniqi për KP.

Këshilltari i ministres Hykmete Bajrami theksoi po ashtu se mjete (para) ka, por nuk ka në dispozicion të caktuar prej nga munden të paguhen, andaj, sipas tij, duhet me u rregulluar ligjërisht.

“Rishikimi i buxhetit mundëson që mjetet e nevojshme të sigurohen në linjat e duhura buxhetore. Qarkorja buxhetore iu ka shkuar të gjitha institucioneve buxhetore për t’i bërë rregullimet, ka nevojë të bëhen rregullime për shkak të shpenzimeve në nivelin komunal. Brenda kësaj jave i marrim kërkesat. Përgatitjet e rishikimit besoj që në këtë javë, më së largu deri në fillim të javës së ardhshme, në qeveri përfundojnë përgatitjet dhe vazhdon varësisht prej agjendës në Kuvend të Kosovës. Nuk ka asnjë arsye që të vonohet rishikimi në Kuvend”, tha Krasniqi.

Ai po ashtu thotë se nuk bëhet fjalë vetëm për punëtorët e sektorit privat, por për të gjitha masat e pakos emergjente fiskale, që bëjnë pjesë edhe ato për biznese dhe çështje sociale.

Komuniteti i bizneset në vazhdimësi është duke kërkuar që të zbatohet pako emergjente që t’u dilet në ndihmë punonjësve dhe bizneseve.

Ndryshe, sipas drejtorit të ATK-së, i cili ka deklaruar javën e kaluar, se nga 193 mijë aplikues me të drejtë page, vetëm nga një pagë (prill) i kanë marrë 171 mijë prej tyre./ Gazeta Sinjali/