image Murtezaj: Inspektorët u hoqën nga Pako Emergjente Fiskale me vendim të Besnik Bislimit, kritikon edhe Sindikatën

Ekonomi/ Murtezaj: Inspektorët u hoqën nga Pako Emergjente Fiskale me vendim të Besnik Bislimit, kritikon edhe Sindikatën

news image

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka konfirmuar se vendimin për mospërfshirjen e inspektorëve të ATK-së në Pakon Emergjente Fiskale për muajin prill e ka marrë Ministri i Financave, Besnik Bislimi. Ndërsa, sa i përket paralajmërimit të Sindikatës së ATK-së se do të ndërpres punën me palë dhe në teren nga dita e hënë, Murtezaj thotë se “ata nuk mund të marrin vendime me telefon nga shtëpia, por duhet kërkuar takim me menaxhmentin”.

Pak më parë Gazeta Sinjali raportoi se inspektorët e ATK-së nuk do t’i përfitojnë nga 300 euro shtesë nga Pakoja Emergjente Fiskale për muajin prill, sepse menaxhmenti i ATK-së i ka njoftuar se nuk i plotësojnë kriteret. Anipse ‘kriteret’ nuk u përmenden një muaj më parë, kur edhe përfituan shtesat e muajit mars.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Ilir Murtezaj, Drejtor i ATK-së sqaron se vendimi nuk është marrë nga ATK-ja si dhe tregon arsyet pse ka ardhë deri te ky vendim.

“Nuk është vendim i menaxhmentit, është vendim i Minsitrit të Finanacve bazuar në kriteret lidhur me masën 6 të Pakos Emergjente Fiskale, në të cilën parashihen disa kritere dhe bazuar në ato kritere nuk i kanë plotësuar stafi me perfitu”, tha Murtezaj në një prononcim për Gazetën Sinjali.

I pyetur se si është e mundur që në muajin mars t’i plotësojnë kriteret ndërsa në muajin prill të ndryshojnë kriteret, Murtezaj përmendi disa arsye.

“Muajin mars nuk e kemi pas atë rregullore ne, për atë. Ka qenë edhe situatë tjetër, muaji mars edhe prill, edhe stafi kanë dalë më shumë në teren, ka pas aktivitete më të mëdha për shkak të ngritjes së çmimeve në atë periudhë”, tha Murtezaj.

Sa i përket paralajmërimit të Sindikatës së ATK-së se do të ndërpres punën me palë dhe në teren nga dita e hënë në rast se nuk përfshihen në Pakon Emergjente Fiskale, Murtezaj tha se përfaqësuesit e Sindikatës duhet kërkuar takim me menaxhmentin dhe mos të marrin vendime arbitrare me telefon nga shtëpia.

“Sindikata nuk mund të marrë vendime arbitrate, duhet me kërku takim me menaxhmentin e jo me telefon prej shtëpisë më marrë qëndrim pa qenë në punë. Duhet me komuniku me manxaxhmentin pastaj të prononcohen”, u shpreh Murtezaj.

“Ata duhet me kërku takim, sqarim e pastaj me marrë qëndrim”, përfundoi Murtezaj.

I pyetur nëse dikush nga inspektorët e ATK-së dyshohet për koronavirus për shkak të punës në teren, Murtezaj konfirmon se asnjë nga inspektorët nuk është i dyshuar e as i infektuar me Covid-19.

“Nuk ka asnjë rast, as të dyshuar as të infektuar”, tha ai.

Gazeta Sinjali do të tentojë të marrë një përgjigje edhe nga ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Bisnik Bislimi, për asryet e mospërfshirjes së inspektorëve të ATK-së për muajin prill në Pakon Emergjente Fiskale. /Gazeta Sinjali/