Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, të kryesuar nga Fitim Havolli, kryetar i kësaj organizate sindikale.
Në takimin me ta, Osmani çmoi lart angazhimin e pakursyer të infermierëve në gjithë vendin për ruajtjen e shëndetit të popullatës. Në mënyrë të veçantë ajo e theksoi rolin e pazëvendësueshëm të tyre në menaxhimin e pandemisë.
“Puna juaj në ofrimin e shërbimeve mjekësore për pacientët e prekur me virusin Covid-19 është tepër e rëndësishme. Por, krahas këtij trajtimi, komunikimi social dhe aspekti psikologjik, të cilin ju po ua ofroni pacientëve të prekur nga ky virus, është po kështu shumë i rëndësishëm”, tha Osmani.
Ajo shtoi se është në dijeni me vështirësitë me të cilat ballafaqohen punonjësit shëndetësorë, në veçanti infermierët, trajtimi i të cilëve nuk është i dinjitetshëm. Ajo i siguroi përfaqësuesit e Sindikatës së Infermierëve se, si kryetare e Kuvendit do të ushtrojë rolin e saj që infermierët të kenë trajtimin e duhur, sidomos tani në kohë të pandemisë.
Përfaqësuesit e sindikatës e njoftuan Osmanin për angazhimin e tyre gjatë kohës së pandemisë, por edhe me vështirësitë me të cilat po ballafaqohen si profesionistë shëndetësorë, pasi që sipas tyre, janë jo vetëm të mbingarkuar, por edhe në numër të pamjaftueshëm, pasi që një numër infermierësh janë prekur tashmë me virusin.
Në mënyrë të veçantë, sindikalistët e shtruan çështjen e moszbatimit të ligjit dhe kompensimin e ulët për orët e kujdestarisë së infermierëve. Prandaj, ata kërkuan zbatim të ligjit si dhe plotësim të tij.
Osmani premtoi që do t’u kushtojë vëmendje të veçantë të gjitha çështjeve të ngritura dhe konfirmoi se do t’i adresojë tutje ato./Gazeta Sinjali/