Vërshimet si pasojë e shiut të madh ishin tragjike për familjen Ademaj nga qyteti i Pejës. Gjithë vendi u trondit për vdekjen e një nëne dhe fëmijës të saj 5-vjeçar. Fillimisht u konfirmua se vogëlushi ishte dërguar në spital pa shenja jete, ndërsa nëna e tij rezultonte e zhdukur. Por tragjedia u thellua, kur Policia njoftoi se edhe gruaja u gjet e vdekur, raporton Gazeta Sinjali.
Për këtë tragjedi reagoi edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila i shprehu ngushëllime familjes, miqve, kryetarit të komunës dhe qytetarëve të Pejës për këto dy humbje.
“Humbja e dy qytetarëve tanë si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën. I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike”, tha ajo.
Osmani gjithashtu njoftoi se FSK dhe institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë ku po i dalin në përkrahje qytetarëve.
“Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”, përfundoi Osmani.